Nga shtypi Dy artikuj lexuar më 28.08.2012 e qe ja vlen ti lexoni dhe analizoni për kohën qe po jetojmë...


Artikulli i parë është i mirë madje shumë i mirë ku pasqyron realitetin pa kompleksin përbaltës të këtyre praktikave,vlerë kjo e cila sinqerisht më mungon por arsyeja pse jam pa këtë vlerë është shumë e madhe...

Artikulli i dytë po ashtu pasqyron realitete të hidhura të jetës sonë si popull por është me ngarkesa sociologjike ku kam frikë se shumë nga lexuesit nuk mund ta kuptojnë sa dhe si duhet për ta ruajt veten nga situatat dhe për ta godit të keqen nga po kjo filozofi.

Miqësisht Xuni
Ku mbetën dinjiteti, prosperiteti, morali dhe demokracia njerëzore?

Publikuar: E hëne 27 Gusht 2012, 18: ,,Kos-Sot”

Pa dyshim, shoqëria jonë ka shumë nevojë për dinjitet, për moral të shtuar dhe për një prosperitet e demokraci të avancuar. Kemi shumë nevojë për to. Dhe, këto, sigurisht, duhet ngritur mbi bazën e punës së ndershme. Pra, mbi baza shoqërore e njerëzore. Zaten, për këto vlera të mirëfillta shpirtërore kemi shumë nevojë. Dhe, a do t’i përmirësojmë këto vlera, apo përherë do t’i largojmë me pandershmëri! Vallë, deri kur ne të vuajmë për vlera shpirtërore e njerëzore?

Shkruan: Mr. Bislim Aliu

Gjithsesi, Kosova jonë e dashur, për shumë kohë, ka vuajtur, mbase, 150 vjet. Ajo, varg e vijë, vuajti nga burgosjet, përndjekjet, vrasjet dhe masakrat e shumëllojta. Pra, vijimisht ishim me brenga plot. E, vuajtëm përherë, vetëm pse ishim shqiptar dhe pse dëshironim, vazhdimisht të flisnim shqip.

Megjithatë, me gjithë këto vështirësi të shumëllojta, identiteti i lartë i shqiptarëve mbeti gjithmonë ideal njerëzor e kombëtar. Mbeti, përherë, si rreze drite. Në këtë dritë rrezatuese, mbeti përherë flamuri dhe dashuria e madhe për kombin e për shtetin.

Zaten, dashurinë për shtet shqiptarët asnjëherë nuk e humbën. Dhe, kjo dashuri e madhe për shtet përherë është ngulitur në mendjen e çdo shqiptari. Kjo brendi mbeti, mbase, si një diell që rrezon dhe përherë bënë dritë. E, mbase, 150 vjet, e kemi pritur këtë rrezatim drite. Nëpër gjenerata, gjithherë u përcoll kjo shkëndijë drite.

”Vendin duhet me e dashtë me zemër e me shpirt, përherë thoshin të parët tanë”. Dhe, ata, patën të drejtë, shumë patën të drejtë.

E, tani, pas 13 vjetësh lirie, i kujtojmë me shumë nostalgji ditët e sakrificës e të luftës për liri. I kujtojmë të gjithë ata djem dhe ato vajza, që me shumë dinjitet luftuan për ta mbrojtur këtë vend të shenjtë. Ata e dhanë jetën për këtë vend, vetëm e vetëm për ta mbrojtur Kosovën dhe vendin tonë të shtrenjtë.

Kosova e meritoi këtë, por ata u harruan dhe gati, plotësisht, u harruan. Eu, sa keq dhe sa pa dinjitet jemi, ndaj atyre që e dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Pas gjithë asaj kohe të mundimshme, e deshëm një shtet stabil dhe me perspektivë funksionale

Pra, të gjithë, pa përjashtim, e deshëm një shtet stabil. Një vend të fortë dhe me dinjitet. Një vend me perspektivë. E, sidomos për të rinjtë, që vazhdimisht kërkojnë punë dhe kushte më të mira për jetë. E, ata, sot mendojnë më ndryshe. Mendojnë që sa më parë të dalin jashtë vendit. E, me ngushëllim e me zemër të plasur e thonë këtë. Pa dyshim, shteti ynë nuk mendoi shumë për ta. Mendoi më tepër për vete, për pushtet dhe pak ose aspak për shtet.

Liderët tanë, plot gojën e kanë liri, demokraci, prosperitet dhe solidaritet ndërnjerëzor. Por ata e thonë më tepër në formë teorike, e në praktikë veprohet krejtësisht më ndryshe.

Jemi pra një shtet ku na mungon vizioni i qartë për prosperitet. Për ecje përpara, e kurrsesi mbrapa, siç po veprohet shpeshherë në Kosovën tonë.

Ne, pra, më shumë flasim e flasim. Besa dimë bukur të flasim. Mirëpo, na mungon puna dhe veprimi për të ecur përpara. Dhe, sigurisht, na duhet dashuria më e madhe për shtet, e jo për pushtet. Kjo dashuri vazhdimisht po na mungon. Jetojmë, pra, në një shtet ku ka krim dhe korrupsion. Kjo, është e ”zeza” jonë e madhe. Vallë, a do të ndalet ndonjëherë korrupsioni, apo po vazhdon e po vazhdon pa u ndalur.

Jetojmë, në një shtet, ku ligji dhe drejtësia nuk funksionojnë ashtu si duhet. Jetojmë pra në një shtet ku gjyqësia fare nuk merret me krimin dhe me kriminalitetin. Dhe, ai hesht, aty ku duhet vepruar. Përgjithësisht, gjyqet tona janë të korruptuara. Andaj, dihet mirëfilli se të korruptuarit nuk mund ta dënojnë të korruptuarin.

”Askush nuk është mbi ligjin” shpeshherë e përmendin liderët tanë. Megjithatë, disa politikan tanë qëndrojnë mbi ligjin dhe ligji fare nuk është i interesuar që të merret me ta!

Tani, po jetojmë në një kohë të lig dhe me brenga plot. Pra, u harrua shteti, e po merremi më tepër me njëri- tjetrin. Ku partitë tona dhe liderët tanë, varg e vijë, janë në hasmëri. Po merremi me njëriëtjetrin dhe po fyhemi jonjerëzisht në mes vete. E, u harrua shteti e me të madhe po mendojmë vetëm për pushtet!

Vazhdimisht, e deshëm një shtet normal dhe funksional. Ku të gjithë jemi të barabartë. Ku ligji dhe ligjshmëria funksionon njësoj për të gjithë. Ku sundon drejtësia dhe demokracia. Demokracia po na mungon dhe do të na mungojë, përderisa shtetin nuk e udhëheqin njerëzit me demokraci njerëzore e shpirtërore.

Vetëm bashkimi i partive dhe i liderëve tanë do ta mbrojë shtetin dhe dinjitetin

S’do mend se partitë tona dhe liderët tanë partiakë janë të përçarë. Skajshmërisht fyhen dhe nënçmohen në mes vete. Sa keq dhe sa panjerëzi. Atyre, sikur nuk iu intereson shteti dhe as prosperiteti. Por, më tepër pushteti. E, populli po vuan. Po vuan nga varfëria. Nga papunësia. Po vuan nga xhelozia e politikanëve tanë. Andaj, shteti po vuan nga dinjiteti dhe prosperiteti. Po vuan nga morali njerëzor. Po vuan nga liria dhe demokracia. Nga demokracia njerëzore. Eh, sa shumë po vuan!

Shteti ynë ka nevojë për dinjitet, prosperitet dhe për moral të shtuar. Ka nevojë për një demokraci të avancuar. Ato, tani, po na mungojnë dhe shumë po na mungojnë.

Gjithsesi, për këto vlera të mirëfillta shpirtërore, kemi shumë nevojë. Pa mëdyshje, kemi shumë nevojë. Këto vlera morale e shpirtërore, a do t’i kthejmë më në mes vete, për hatër të popullit, të shtetit, të njerëzisë, apo përherë, do t’na mungojnë dhe nuk do t’na lënë të prosperojmë dhe të ecim përpara në të mirë të shtetit.

Andaj, themelet e shoqërisë kosovare, në vend që të forcohen dhe të ecim përpara, ato po zbehen dhe po lëkunden vazhdimisht. S’do mend se shtetin duhet forcuar, me detyrim ligjor e me demokraci të lartë njerëzore.

Na duhet uniteti dhe vetëm uniteti. Bashkimi e bën fuqinë. E, atëherë pse s’po dashkemi për hatër të shtetit, kur shteti është i të gjithëve. Dhe, të gjithë duhet ta mbrojmë atë dhe përgjegjësia u takon të gjithëve.

Ky vend, që moti do drejtësi, ligjshmëri. Do prosperitet dhe angazhim maksimal në zhvillimin e tij dhe të Kosovës në përgjithësi.

Andaj, vetëm ligji, drejtësia, prosperiteti dhe avancimi i demokracisë njerëzore, pa dyshim, do të jenë virtyte të larta të shtetit. Sigurisht me këto virtyte Kosova do të ecë përpara, si shtet i organizuar dhe i konsoliduar.

Vallë, deri kur ne të vuajmë për dinjitet, prosperitet, moral dhe për demokraci të lartë njerëzore e shpirtërore. Pra, na duhet angazhimi, për t’i zhvilluar këto virtyte të larta njerëzore e shpirtërore.

Andaj, shteti mbahet me drejtësi, me ligjshmëri e me plot njerëzi…

Atë do ta mbajmë gjithnjë. Dhe, do ta mbajmë, se ai është foleja jonë, vendi ynë dhe gëzimi ynë.

Me vetëbesim e me gëzim të avancuar ne do të shkojmë në përparim. Kosova këtë e meriton; si dje, si sot dhe si nesër. Këtë e meriton dhe, mbase, gjithnjë e meriton…

E, ne këtë meritë Kosovës duhet t’ia japim, me punë të ndershme dhe me drejtësi të përhershme. Pa dyshim, kështu do të jetë. Dhe, vetëm kështu shteti do të forcohet dhe do forcohet për të mirën e vendit dhe të shtetit tonë të dashur.

Eu, sa shpejt shtetin e harruam, thuajse tjetërkush duhet të kujdeset për te!E, ne plot gojën e kemi shtet e luftojmë vetëm për pushtet. Andaj, deri kur të jemi të ligj ndaj shtetit dhe ndaj dinjitetit të tij!

http://www.kosova-sot.info/opinione/ku-mbeten-dinjiteti-prosperiteti-morali-dhe-demokracia-njerezore

xxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxx

Vetëtradhtuesit nga vetëmashtrimi, a jemi ne?


Publikuar: E hëne 27 Gusht 2012, 18:24 ,,Kosova Sot”

Dhe, njeriu kur e tradhton veten, ai fillon ta shohë botën në atë mënyrë që e përligj vetëmashtrimin e tij. Hapi tjetër i të vetëmashtruarit qëndron në atë që ai fillon ta shtrembërojë realitetin. Të vetëmashtruarit brenda rrethit të tyre nuk mund më të dalin jashtë apo të shkoqen nga ai rreth. Futja në rreth i ka pasojat e veta në atë se njeriu fillon t’i zmadhojë të metat e të tjerëve; i zmadhon virtytet e tij, i zmadhon gjërat që e përligjin vetëmashtrimin, e më e keqja fillon atëherë kur ai e fillon fajësimin e të tjerëve

Shkruan: Fahri XHARRA

Gjithmonë na është fshehur e vërteta e jonë dhe me daljen e saj në dritë, vetë po e sjellim veten në mëdyshje duke mos i zënë besë vetvetes. Faktet janë, faktet kanë qenë, por ato na ishin fshehur historikisht. E na nuk dinim, mashtroheshim lehtë, pastaj mohoheshim edhe më lehtë dhe së fundi tradhtoheshim deri në humbje të së vërtetës kombëtare. E mirë kjo për një komb?

Mbeturinat e qelbosura ne bërllokun me miza dhe mushkonja, aty ku sëmundja ngjitëse vdekjeprurëse e fillonte inkubacionin, na lyenin kryet me akull , me broçkulla dhe të pavërteta dhe fillonte epidemia e vetëtradhtimit. Nuk dinim edhe pse donim ta ruanim tonën; vetëbllokoheshim, vetëngujoheshim dhe vetëdëmtoheshim .

“E vërteta jonë nuk mund të gjendet as ne librat që janë shkruar në Romë, e as në librat që janë shkruar në Mekë, e as në ato të Konstantinopolit e as të Athinës e Stambollit, por jashtë tyre, sepse edhe ne shqiptarët kemi shekuj të panumërt evolucioni, edhe ne jemi pjesë e njerëzimit , pa te cilën pjesë nuk plotësohet historia e njeriut, dhe e gjithë kjo histori është e shkruar në librin tonë të ndërgjegjes dhe është trashëguar brez pas brezi me mijëra e mijëra vite,mirëpo ne në vend që të shpalosim librin tonë dhe ta njohim veten, po mundohem të gjejmë atë në librat e huaja dhe aty po e takojmë atë që nuk na duhet (jo- shqiptarin ) dhe po i falënderohemi asaj që nga ne mundohet të krijojë jo-njeriun (jo-shqiptarin). (Fatmir Osmani)”. E bukur kjo? Na jep pak mend që të mendojmë më shumë?

Fjalët befasuese të Kristo Papës

“Në mesin e 100 personave, midis tyre edhe deputetë grekë, ra në sy një figurë e njohur për opinionin në Greqi, deputeti i Partisë Neonaziste "Agimi i Artë", Kristo Papa, i cili tha se "... nuk ka Epir të Veriut dhe Epir të Jugut, por është një i vetëm (tokë greke). Pakkush e di se deputeti në fjalë është me gjak e origjinë shqiptare. Jemi të befasuar nga deklarata e deputetit Kristaq Papa, i cili e flet shumë bukur gjuhën shqipe ( gjuhën e nënës fxh). Ai është nga një fshat i Sulit të Janinës ose të themi është nga një fshat i varfër i banuar nga ortodoks shqiptar. Ai është një nga themeluesit e Agimit të Artë. Ideologu i propagandës naziste të kësaj organizate”. (Shënim gazetaresk i këtyre ditëve).

“Himara është tokë greke dhe se Epiri është një. Në shumë raste thonë që ky gjak duhet të jetë gjaku i fundit dhe urojmë që të jetë kështu, por kjo tokë, Himara, toka greke, ka treguar në shekuj të shekujve se ka gjithmonë heronj dhe gjithmonë jep djemtë e saj më të mirë, kurban për lirinë. ( Kristo Papa)”

Duke “mos pasur” fakte njeriu bie në një pikëpyetje shpirtërore se kush isha dhe kush jam. “Mospasja” e fakteve i shkakton një mori simptomash ligështie të cilat e sulmojnë trurin dhe një “lëvizje” të vogël të ”dikujt”, njeriu bie në vetëmashtrim. Lartmadhëria e tij e “dikushit” e krijon rrethin e tij i cili përditë e më tepër rritet duke ngërthyer në vete shumë e më shumë të vetëmashtruar. Të gjithë ata që futën brenda rrethit e shohin botë plotësisht ndryshe nga ata që nuk janë në rreth. Paaftësia e njeriut për të kuptuar se e ka një problem me vetveten quhet vetëmashtrim. Vetëmashtrimi është gjëja më e lehtë dhe më e zakonshme në botë. Kur njeriu futet në rrethin e të vetëmashtruarit, atëherë të gjithë ata që janë jashtë tij (rrethit) janë përtacë, shpërfillës, të pandjenja, ziliqarë, shpirtkëqij dhe tradhtarë.

Dhe njeriu kur e tradhton vetën ai fillon ta shohë botën në atë mënyrë që e përligj vetëmashtrimin e tij. Hapi tjetër i të vetëmashtruarit qëndron në atë që ai fillon ta shtrembërojë realitetin. Të vetëmashtruarit brenda rrethit të tyre nuk munden më të dalin jashtë apo të shkoqen nga ai rreth. Futja në rreth i ka pasojat e veta në atë se njeriu fillon t’i zmadhojë të metat e të tjerëve; i zmadhon virtytet e tij, i zmadhon gjërat që e përligjin vetëmashtrimin e më e keqja fillon atëherë kur ai e fillon fajësimin e të tjerëve.

Mohimi i çdo gjëje

Pa dashur i tilli si i vetëmashtruar ndikohet shumë lehtë, fillon pra të veprojë kundër asaj që e mbronte pa hyrë në rreth, gjithnjë duke e arsyetuar dhe duke e përligjur vetëmashtrimin e tij. Duke e përligjur vetëmashtrimin, njeriu kalon në fazën tjetër të vetëmohimit; mohimin e çdo gjëje që para futjes në rreth ishte për të e pranueshme, e kapshme për realitetin dhe të vërtetën personale. Ky është një moment kritik që në mohimin e së vjetrës në favor të një të reje që as vetë nuk e di se pse. Nuk pranohet qenia,roli, rëndësia,vlera, domosdoshmëria e të mirave p.sh. kombëtare. Mohon dhe zhduk çdo gjë që i jep krah zhvillimit. E mohon të drejtën mbi vetveten; nuk e merr parasysh as të kaluarën e tij. I mohon të mirat. I mohon fjalët e thëna, mësimin e parë, e mohon evolucionin shoqëror. E mohon rolin dhe rëndësinë e vetvetes që e kishte dikur. Nuk ia pranon meritat dhe virtytet dikujt. Nuk i përmbahet etikës shoqërore me të cilën ka jetuar; i quan të pa vlerë e pa dobi. Vazhdimisht shpreh mohim, mospajtim, mospëlqim. Jeta i fillon me kuptim mohues, me të bëma mohuese, me pjesëza mohuese. Mishërohet në kundërshtimin e mospranimin e çdo gjëje që është jashtë rrethit. I ha fjalët, e harron vetveten dhe e pohon vetëm atë që e bindë rrethi. Pra, një kukull në duar të askushit për qëllime të rrezikshme të cilat i servohen çdo moment. Gjendje e rëndë, e rrezikshme për familjen e rrezikshme për kombin

Si i vetëmashtruar dhe vetëmohues e fillon bashkëpunimin që sa më shumë njerëz të ketë në rrethin e vetëmashtrimit; e fillon rrezatimin e asaj që tani i duket se është më e mirë, më joshëse; por në të vërtetë vetëmashtruese dhe vetë mohuese. Po të tjerët si i duken atij, ata që nuk janë në rreth? Ata janë ngatërrestar, të papërgjegjshëm të parespektueshëm ndaj çështjes së tyre madhore. “Madhore” të porositur nga brenda rrethit. Tani fillon lufta në mes atyre në rreth që rrezatojnë ide të brenda rrethit me atë jashtë rrethit. Kjo është një luftë, e cila i fut në rreth të tretët me bindje, me frikë ose me para.

Futja në rrethin e të vetëmashtruarit dhe vetëmohuesit, me kalimin e kohës e bën gdhendjen në mendjet e tyre me karakteristika që i bartin gjithë kohën me vete. Bëhet mendar; i “mençur”, “i zgjuar” dhe dëshiron që ta mbajnë për të mençur. Fytyrë dhe personalitet prej mendari. Por, në të vërtetë bëhet bartës i një “virusi” ndjellakeq.

Tani kur e krijuam vetëmashtrimin dhe vetëmohimin, a e dini çka na pret? Vetëtradhtimi. Vetëtradhtimi është faza më e rrezikshme; njeriu në një stad të tillë nuk njeh asgjë e askënd, përveç urdhërdhënësit. Shenjat janë mungesa e angazhimit dhe mospërfshirja në rrjedhat normale të shoqërisë dhe kombit; krijimi i problemeve dhe konflikteve. Të gjitha ndër komandën e urdhërdhënësit:

Ideologët e vetëshkatërrimit, të fshehur

Kemi shumë shembuj të kësaj rryme të vetëshkatërrimit; por një është e sigurt që ideologët janë të fshehur, të siguruar nga çdo rrezik, të pasur dhe vetëm i infektojnë qelizat e shëndosha të shoqërisë, dhe sëmundja komb vdekjeprurëse sa vjen e rritet.

Për të pasur më të qartë se si duket shembulli tipik i vetëmashtrimit dhe vetëmohimit është arritja përfundimtare e Kristo Papës: “... midis tyre edhe deputetë grekë, ra në sy një figurë e njohur për opinionin në Greqi, deputeti i Partisë neonaziste "Agimi i Artë", Kristo Papa, i cili tha se “...nuk ka Epir të Veriut dhe Epir të Jugut, por është një i vetëm (tokë greke). Pakkush e di se deputeti në fjalë është me gjak e origjinë shqiptare”.

Kurse vetëtradhtimi është faza më e rrezikshme; njeriu në një stad të tillë nuk njeh asgjë e askënd, përveç urdhërdhënësit: “Himara është tokë greke dhe se Epiri është një. Në shumë raste thonë që ky gjak duhet të jetë gjaku i fundit dhe urojmë që të jetë kështu, por kjo tokë, Himara, toka greke, ka treguar në shekuj të shekujve se ka gjithmonë heronj dhe gjithmonë jep djemtë e saj më të mirë, kurban për lirinë” (Kristo Papa). Vetëtradhtimi është mungesa e angazhimit dhe mospërfshirja në rrjedhat normale të shoqërisë dhe kombit; krijimi i problemeve dhe konflikteve. Të gjitha ndër komandën e urdhërdhënësit: “Tradhtoje Kombin”!

Vetëmashtrimi e sjell vetëmohimin kurse vetëmohimi e sjell vetëtradhtimin. Që të tria na sjellin shuarjen kombëtare dhe na drejtojnë drejt vrimës së zezë e cila me fuqi kozmike na përpinë në vorbullën (vortexin) e saj, në një rrugë të pakthim.

http://www.kosova-sot.info/opinione/vetetradhtuesit-nga-vetemashtrimi-a-jemi-ne

xxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxxx