Rrefime Ju kusheri të nderuar, lidhuni e mos u ndalni së kënduari, zemra u këndoft, mbiemri juaj, populli dhe vendi ynë kurrë mos u shoftë...
Po e bëj like, pra  (e pelqej) , këtë link relaksimi dhe njëkohësisht lidhur më vëllëzrit Cetaj po publikoj dicka nga letra dërguar inspektorit, i cili më vonë shef i SHSSH (UDB-së) Pejë  Asllan Sllamnikut, ku në fund fare, faqe 173 të librit ,,Një rezistencë ndryshe 1981-1990“ vjen sqarimi
Lexo nga faqja  169-173: Me nderime, shoku shef

Ja tani, pas pesë(5) viteve, vendosa që edhe njëherë, tani për së dyti, me emër, të ju lajmërohem, me anën e kësaj copë letre dhe të ju informoj se ende jam gjallë, shoku Asllan.
Kur them këtë, ju lutem përpjekuni të më kuptoni se kam të drejtë ta ndiej veten të befasuar ndaj këtij fati në fatkeqësi. Ndoshta nuk keni harruar kur para pesë(5) vite në zyren tuaj me temperaturë qershori, të natyrës pranverore (verore) 35-40 gradë celcius, çfarë krijonte ai ,,Mulla Syla" i zi, siç e quanit ju atë shkopin e gomës (pendrekun).
 Besoj ju kujtohet kur ju thash: “Prej sot gjithçka më është e qartë dhe për asgjë nuk pendohem, veçse të kisha qenë vetëm edhe tri (3) ditë jashtë kësaj klime dhe këtij objektit tuaj“. Ju, shoku Asllan, pa menduar mirë se çfarë dua të them,m’u sulët mbi kokë, duke më pyetur: “E çfarë kishe bërë,më trego çfarë kishe bërë për ato tri(3) ditë?!“.
Unë menjëherë e kuptova se ju më keqkuptuat dhe fillova e sqaroj me këto fjalë: “Për ato tri(3) ditë do të rrija me nanën time plakë,me familjen dhe kështu të hallallshtisem me ta për jetë, ngase vetëm tani po shoh vdekjen!“.
Vetëm pas këtij sqarimi, u qetësuat, shoku shef.
 Ju lutem Asllan, binduni se gjatë vuajtjes së denimit kam përjetuar tri herë më vështirë se kaq,por kuptohet me metoda tjera,si sulme fizike,brutale dhe pa kontroll, me çka edhe sot kam pasoja. Sulmin më të rëndë e kam përjetuar vetëm njëherë, e nëse ju intereson data, ja ku po ju shënoj këtë ditë të kobshme për mua si datë, 19.6.1983,e në vazhdim kam pasur maltretime psikike,provokime të kurdisura etj,etj,pra gjithherë kam përjetuar, por metodat ndërroheshin dhe po ndërrohen. Gjitha këto, shoku Asllan, i përjetova dhe përjetoj, por ajo që po më han shpirtin është fakti se unë jam i pafajshëm.
Më beso se përgjegjësinë që kërkoni nga unë, është barrë e rëndë, e cila më këputi dhe shkatërroi fizikish dhe mentalisht, ngase jam plotësisht i pafajshëm. Deri më sot mbi gjitha këto kam shkruar gati kudo, si në gjykatën e qarkut disa herë,gjyk atën e lartë, një apo dy herë,në atë kushtetuese, i cila m’u përgjigj se nuk është kompetente për këtë,kryesisë së Kosovës një herë, Kryesisë së RSFJ-së dy herë,Kryesisë së Republikës së Sllovenisë mbi problemet këtu dhe padrejtësitë çfarë më janë bërë në Kosovë një herë. Mjerisht të gjitha këto qëndruan si duarlidhur gjoja se morali vetëqeverisës nuk po i lejuaka të futen në punët e tjera institucioneve.
Bile vlen ta ceku se Kryesia e RSFJ-së, dy herë më ktheu përgjigje, duke më këshilluar që të mos heq dorë nga gjykata, aty ku më është shqiptuar dënimi, ngase vetëm ajo paska fatin tim në dorë. Unë një rekomandimi të tillë nuk iu largova, derisa më në fund u binda se gjykata nuk ka pavarësi profesionale, me çka them se ka humbur, jo vetëm besimin tonë, por edhe moralin juridik e profesional.
Një gjë të tillë e kisha të qartë që moti, por ja se sot më duket mashtrim fëmijësh të ju lajmërohem atyre të cilët nuk më njohin. Bile tani në mesin e katër mijë(4000) e sa të denuarve, sa ka aktuakisht Kosova, ku unë aty jam vetëm një kokërr misri në atë hambar, me çka edhe pajtohem se dielli ka filluar e po rrëzon ndryshe.
E keqja është se unë gjithherë si i pafat dhe i pafajshëm, ku si të tillë tani mua më ka sjellur një dobësim në pikëpamje të shëndetit. Shkurt nuk po e ndiej veten mirë,pra ky edhe është motivi që më shtyen të ju shkruajë sërish juve, me bindje se nuk më keni harruar dhe me bindje se ju dhe Ibush Kllokoqi mund të dini më së miri se jam denuar pa as edhe një dëshmi dhe se nuk më janë marrë në pyetje 4-5 dëshmitarë, të cilët do ta ndriqonin të vërtetën ndryshe nga kjo pamje e errët dhe verbërimi i trupit gjykues.
Tani para pak ditësh, pata një vizitë të shkurtër, të them për rrugë, që kishin qenë ca kolegë tuaj me shërbim në Beograd,ishin këta kolegë tuaj të cilët më vizituan,bile njëri nga ata, sa vërejta, po më njihte diçka më hollësisht, me çka u ndjeva mirë, ngase u binda se materialin e veprës sime dhe dërgesave, ende po e lexokan dhe studiokan,e jo të jenë strehuar diku në qoshe të ndofarë vitrinave të mëdha dhe ta kenë shkelur vepra veprën, e sot pas pesë(5) viteve, e imja të jetë fundosur diku në errësirë.
Shoku Asllan, ju kisha lutur që ta sjellni numrin e telefonit të Ibush Kllokoqit dhe të insistoni disi së bashku që të më mundësoni një rigjykim, për të cilin gjë ka kohë që po orvatem me shkresa, por ja se disa nga to edhe mbetën të shudhëra.
Shoku Asllan,unë burrërisht ju them se tani është koha e fundit, kur do të pranoja një lirim të ndershëm dhe bindu se po që se dështoj edhe kësaj radhe, për mes jush si më kompetentë që jeni,pasha besën time dhe familjes,unë jam ai i cili do të heqi dorë nga lirimi individual, qoftë edhe në vitin 1994, kur do më skadonte denimi. Po, Asllan,do të harroj se çdo të thotë lirimi personal,por nga këtu do të shtrohet një pyetje pa përgjigje se kush do të jetë Xun Çetta?!
Shoku Asllan,kërkoj nga ju dhe shoku Ibush, që në një të ardhme të shpejtë të më vizitoni,në mos të dy, atëherë njëri nga ju, ku do sqarohemi më mirë. Më besoni se unë nuk po shoh rrugëdalje tjetër, pos që të arrihet mundësia e një rigjykimi ligjor. Dëshiroj që të ndodhë kjo aty diku kah muaji i nëntë(9) apo eventualisht muajin e dhjetë(10), ku besoj se e tërë kjo do të favorizonte ndriqimin e të vërtetës së shkelur tash sa kohë,kjo është ajo çfarë e shoh si të rrugës,apo nëse ka rrugë tjetër,të kuptohemi juridike e morale,ju lutem më lajmëroni me një copë letër ose në telefon 065-215.69, mënyrë kjo që u mundësohet të burgosurve këtu dhe unë nuk po lejoj të më bëhet përjashtim,siç e dua edhe e mbroj barazinë.
Më së miri kishte qenë ta kërkoni drejtorin,,upravnikun"e Nova Goricës në këtë burg. Ju lutem Asllan, të më besoni se durimit i ka ardhur fundi dhe nuk po shoh mundësi reale që të qetësohem e pajtohem me këtë dhunti, e cila më djegu shpirtin dhe po më han për së gjalli.
Shoku shef,nëse arrihet rigjykimi në fjalë dhe një lirim eventual,binduni se keni arritur shumë, e them këtë ngase problemi respektivisht denimi im si i pafajshëm, njëherit është problem aktual edhe i familjes sime,fqinjëve,miqve,dashamirëve dhe i popullit në tërësi,gjë kjo ngase mendoj se një problem i tillë apo të them një shkelje fagerante e lirive të një personi,popullit apo komuniteti, është problem i cili peshon rëndë në kandatarin politik. E di se janë të shumtë ata të cilët verbërisht i mbyllin sytë ndaj problemeve dhe padrejtësive individuale, duke trajtuar si problem jashtë rendit të ditës për shqyrtim, ngase të tillët frikësohen nga problemet dhe kundërshtimet kolektive e grupore. Por, duhet pasur kujdes se shtimi i numrit të të parëve, pra individual, është dy herë më i rrezikshëm nga ato grupore e kolektive, ngase bashkimi i forcave individuale, si të pakënaqur, si në këtë gjendje që jemi, gjithësesi është një eksploziv vetëvrasës, me çka nuk kursehet as jeta. Për këtë gjë ka dëshmuar historia,pra kërkoj syçeltësinë tuaj dhe të shokut Ibush.
Unë mendoj dhe përkujtoj se, padrejtësitë çfarë kanë përfshirë botën, nuk është kjo një punë e vogël për neglizhim.
Shoku Asllan,tani po ju pyes, si jeni me shëndet,a po lodheni,si po kaloni në atë Pejë të kuqe buzë bjeshke të asaj ane. Asllan,nëse nuk më keqkuptoni, ju kisha thënë se tani ke shkuar me detyrë në rrethin ku kam lindur e rritur,dëshiroj që puna të ju shkojë mirë dhe si një dashamirës i mireqenies së njerëzimit, ju informoj se atje asgjë nuk mbetet e fshehët,çdo gjë bartet nga goja në gojë,por edhe kjo punë shkon në kanale të heshtjes dhe lëvizjeve si memec. Shkon kështu, ngase përvojat kanë pjekur edhe fëmijët para kohe atje.
Shoku Asllan,para se ta përfundoj këtë shkresë, ju kisha lutur të më kuptoni për një gjë të tillë,ju do të duhej gjetur një dhomë të qetë e të koncentroheni mirë e mirë, e nga këtu të mendoni se çfarë po ndodhë aktualisht në Kosovë. Mendo dhe kupto se kush janë realisht ata që po rrezikojnë paqen hapur dhe nuk duan të ju njohin e s’e kuptojnë fare? Ata po shkojnë drejtë e tek nëna e tyre në Beograd, thua se Kosova qenka njerkë për ta,mendoni edhe në privilegjet e tyre që kanë si të punësuar çdo i treti (3), derisa shqiptarët aty janë të punësuar çdo i dhjeti(10),mendoni dhe kuptoni se si ata kërkuan që tokat e serbëve dhe malazezve në Kosovë t’u ofrohen për shitje me tapi një forumi në Serbi,gjë kjo të cilën historia nuk njeh ide e lëre më praktika të tilla.
Mendoni se si kërkuan që gjuha shqipe të pezullohet dhe si gjuhë zyrtare në Kosovë të flitet ajo serbe,mendoni në marshimet e tyre masovike, ku para sa kohe, të bashkuar, në mënyrë demonstrative, shprehën mosbesimin në bashkim-vëllazërim të kombeve dhe kombësive në Kosovë. Të gjitha këto, Asllan,tregojnë hapur se sa janë të privilegjuar, vetëm që të mos largohen nga Kosova e përbashkët, si mike e njerëzimit, çfarë është dëshmuar, populli ynë dhe Kosova jonë. Gjitha këto tregojnë qartë se përse po bëhen lëshime të njëanshme në fushën e barazisë,tani pyes:
Vallë ku mbeten frytet e revolucionit dhe afrimi i kombeve dhe kombësive, për të cilat na flasin,pyes çfarë masave po merrni ndaj tyre, krahasuar me masat rigoroze çfarë u morën ndaj neve, si krejt të pafajshëm. Ne nuk jemi kundër asnjë kombi e kombësie,personalisht i çmoj dhe respektoj si internacionalist, por gjendja reale tregon se diçka nuk po funksionon.
Më në fund, ju lutem pranoni të falat më të sinqerta.

Shoqërisht Xuni
Nova Goricë, më 26.6.1986


SQARIM
Siç lexuam,e kam paralajmëruar Asllanin se në vendlindjen time, ku ai kishte kaluar me shërbim, si shef i UDB-së në Dukagjin,pra në Pejë,nuk mbetet gjë e fshehur, e të mos e marr vesh. Pas lirimit tim me 1989, kam marrë tepër të dhëna për sjelljet e tij atje, si dhe për shumë persona, të cilët Asllani i kishte marrë në biseda informative, duke pyetur për mua, se si e njihni Xun Çettën?! Kryesisht kishte pyetur drejtorë shkollash dhe këngëtarë, e ndër ta edhe vëllezërit Çetta.
Thirrja ime në këtë letër, mes tjerash, që Asllani ta mendonte dhe kuptonte realisht situatën politike në Kosovë, ishte në kohën kur serbët po ngriteshin kundër shqiptarëve dhe kërkonin politika fashiste përballë nesh, pa guxuar të ndërmarrin diçka, po këta shefa të UDB-së në Kosovë.


Video :

https://www.facebook.com/photo.php?v=695823480450196&set=vb.100000676507102&type=2&theater

Komentet në Facebook:


Xun Çetta:   Sqarimi është në libër faqe 173 në formë fusnote, aty nen foto dëshminë e dërgesës së kësaj letre.

Halit Elshani:  Knofshi gjimon e jet o bylbyla te kenges shqipe.

Haxhi Grabovci :  Ne rend te par ju pershendesim Xun,  juve ashtu pershendesim edhe Vëllazrit Qetaj.  Gjithnji u ndegjoft zeri i tyre se me te vertet ashtu si thua ti është se Fam . Qetaj gjithëher ishin kan therr ne sy per Sllamniket e shokt e tina, pra UDB së. Përshendesim nga zemra

Halit Elshani : Xun Qeta pezrshendetj Me vjen mire qe i keni ruajt dhe keni krijue ditar te cilin shpresoj se e keni ne librin tuaj te sa po botuar.Une nje pjese te ketij ditari e kam inkorporue ne librin qe pritet te dal ne drite.Shpresoj se shumsia e ketyre librave do zgjoj interesim per rrugen dhe jeten e kaluar.vujtjet dhe peripetit tuaja dhe shume shokeve tuaj.gjithashtu me vjen mire qe je gjall,i fort dhe i shkruen keto gjera.

Xun Çetta :  E keqja është se nuk po shkruhen gjërat ashtu si kan qenë, pa dallim kush ku dhe në cfarë niveli rezistence u gjëndem gjatë rrugës për të ardhur deri këtu. E di se nuk është lehtë të shkruhet, aq më pak të botohet dhe të gjesh sponzor të botimit të materialeve të tilla, por akoma më keq është kur nuk flitet për krejt cfare ka ndodhur. Një ditë jo shumë të largët do flas vet pushtuesi dhe do turpërohemi ne më heshtjën tonë. Për mua, rëndësi ka ti themi gjërat sa jemi gjall. Sa kush po vdes si personazh i ditarit tim, po ndihem keq sikur ma mori dëshminë më vete dhe iku...Pra e publikova këtë letër më këtë sqarim nga libri i sapo botuar për arsye se Xhemajli është gjall dhe do duhet ta dëshmoj se si është marrë në pyetje sipas gjitha gjasave pasi që shefi i SHSSH-së (UDB-së) Asllan Sllamniku ka marrë këtë letër. Gjërat duhen lidhur për te dal një pasqyre e vertet e jo të mos dim kujt cfar na ndodhi dje, cfare sot dhe si funksionoj sherbimi i tyre. Derjtorin e shkollës të cilin po ashtu e kan marrë në pyetje, pra njërin nga ta nuk e kemi në jetë, për këtë arsye heshta për emrin, por është tjetri ish drejtor i gjall i cili do duhej të na rrefaj. Nuk është ligësi përballja e as keqtrajtimi fizik nga pushtetet e marra mendësh aq më pak nga pushtuesi. Heshtja do të na vret përseri, andaj mos heshtni për ti thën të vertetat...