Kulturë Ballinat e librit

Shkruan: Berat LUZHA
22.11.2012


Libri “Nga lëvizja ilegale te UÇK” i Naser Kukës, i përuruar më 20 nëntor 2012 në Prishtinë, në kuadër të 100-vjetorit të ngritjes së flamurit në Vlorë, është një libër, një vepër e rëndësishme monografike, që lidhet me veprimtarinë atdhetare të autorit, por që shpalos një varg ngjarjesh dhe paraqet një numër të madh veprimtarësh të çështjes kombëtare në komunën e Kaçanikut, në Kosovë e më gjerë.


Kaçaniku me rrethinë gjithnjë ka qenë një vend ku janë zhvilluar ngjarje të mëdha e të rëndësishme dhe ku u formuan, vepruan dhe luftuan personalitete të mëdha atdhetarie. Gryka e Kaçanikut, e quajtur edhe Termopilet shqiptare, ishte një grykë strategjike, një portë e rëndësishme e Kosovës dhe më gjerë, ku u zhvilluan dhjetra beteja të përgjakshme. Ngjarjet dhe personalitetet e shumta historike nga kjo trevë ende nuk janë pasqyruar sa e si duhet nga historiografia, por kanë munguar edhe shkrimet publicistike.

Njëri ndër protagonistët e dalluar të ngjarjeve historike të trevës së Kaçanikut, nga Pranvera Shqiptare ’81 e deri me çlirimin e Kosovës, ishte edhe Naser Kuka, i cili kishte angazhim të përkushtuar atdhetar që nga bangat e shkollës së mesme. Naser Kuka, një veprimtar i dalluar, na ka sjellur librin e tij të vëllimshëm me kujtime e dëshmi nga ajo kohë, i titulluar
“Nga lëvizja ilegale te UÇK”.
Me këtë libër, duke përshkruar ngjarjet mirë e qartë përmes kujtimeve, fotografive e dokumenteve autentike, ai e plotëson një mozaik dhe një zbrazëti të theksuar për pasqyrimin e ngjarjeve e personaliteteve historike nga kjo trevë. Libri është i mbushur me lëndë të ngjeshur, me fakte e argumente të shumta për ngjarjet e historisë më të re për trevën e Kaçanikut, në veçanti dhe të Kosovës, në përgjithësi. Si një kronikë e ngjarjeve të përjetuara, autori përshkruan dhe spikatë veprimtarinë e tij ilegale, dënimet dhe burgosjet politike, burgun politik, angazhimin e përkushtuar me detyra specifike, kontributin në luftën çlirimtare etj.
Në libër mësojmë për përpjekjet e tij dhe të rinisë kaçanikase për liri, për devotshmërinë ndaj çështjes kombëtare, duke mos u ndalur asnjëherë të ecën rrugës që e kishte zgjedhur, që ishte një rrugë e gjatë dhe shumë e rëndë. Prandaj, me të drejtë mund të themi se puna titanike e rinisë sonë atdhetare, ku përfshihej edhe Naser Kuka, e vetëdijësoi dhe e ngriti popullin tonë në luftën çlirimtare, të cilën e organizoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Ky libër, i botuar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, më mirë se shumë libra tjerë të këtij lloji, shpërfaq tërë odisejadën e lëvizjes ilegale në komunën e Kaçanikut dhe në Kosovë, si dhe në mërgatën tonë politike, pasqyron ndjekjet e vazhdueshme të rinisë sonë nga regjimi, paraqet burgosjet e pareshtura, duke na njohur edhe me shumë protagonistë, me veprimtarë të devotshëm e të përkushtuar të çështjes kombëtare, disa prej të cilëve sot janë dëshmorë të kombit.
Ajo që e bën librin më të pasur, më të plotë e më të besueshëm janë faktet e sjella përmes faksimileve të shumta të dokumenteve të kohës, pastaj përmes fotografive autentike, si dhe përshkrimet e thukta të ngjarjeve të përjetuara.

Jam i bindur se ky libër faktografik do të bëhet një literaturë e rëndësishme gjatë studimeve të historisë më të re të Kosovës, veçanërisht në komunën e Kaçanikut. Sigurisht se libri do të pritet mirë dhe do të lexohet dendur nga lexuesit, të cilët do të kenë mundësi të njihen me shumë ngjarje e personalitete nga një kohë e mjegulltë, e turbulltë dhe errët për popullin tonë.
Me këtë libër duket se autori e ka kryer edhe një detyrë të rëndësishme, në vazhdën e veprimtarisë së tij të pasur.
------------.
Koment:


Xuni-22.11.2012


Ajo çfarë ma plotësoj një boshllëk qe kam tash e sa ditë është lajmi për daljen e librit faktografik të autorit Naser Kuka. Librin nuk e kam lexuar dhe as qe kam diuni për krejt çfarë ka pasqyruar autori edhe pse jam paralajmëruar krejt shkurt për këtë botim,por vlerësimin e të nderuarit Berat Luzha mbi këtë libër dua ta marr akoma më seriozisht për të besuar se Naseri megjithatë ja ka dalë të botoj diçka ose shumë më moralshëm nga kanë botuar jo pak shokë e veprimtar.
Unë nuk dua të nxitoj e vlerësoj diçka më shumë se kaq ngase librin siç thash akoma nuk e kam lexuar dhe e di se ka pas shumë gjëra për ti zbardhur të cilat qëllimisht për kaq kohë janë lenë anash më shpresë se do mbesin në harresë totale,gjë kjo e cila nuk guxon të ndodh.
Do e mallkoja veten nëse pas kaq përvojash të hidhura nxitoj dhe besueshëm thuri lëvdata për të nderuarin Kuka dhe botimin e tij a pasi ta lexoj librin të përballëm më po ato lojëra çfarë kanë luajtur shumë shokë tano autor gjynahesh pa i përgjithësuar botimet.
Pra dua të besoj se z.Naser Kuka si autor dhe vlerësimet e të nderuarit Berat Luzha mbi këtë botim do jenë një fije shprese për të mos u ballafaquar më zhgënjime të reja.
Mikut Naser Kuka i uroj shëndet dhe suksese në hulumtime dhe botime të radhës.


Fjala e Gani Sylës