Rrefime

QEVERISË SË KOSOVËS  AKTUALISHT NË MËRGIM

 

PROPOZIM INDIVIDUAL E QYTETAR

 

Ju lutem pranoni brengosjen time mbi situatën aktuale ne Vendlindje dhe pozitën kaq të vështirë që u gjetëm jashtë vendit për shkaqet dhe arsyet tani të njohura.

Për të mos humbur kohë, edhe ashtu jemi të vonuar, me bindje të plotë dhe obligim moral që të ndihmoj sado pak në këtë situatë po lajmërohem me vetëm ca projekt-propozime për atë se çka dhe si t’i përgjigjemi situatës në mënyrë të organizuar.

 

1. Të rënditen Partitë dhe Organizatat politike, shoqatat, individë me peshë të verifikuar dhe intelektual, ata që, pa dyshim, janë një brum i cili lidhet fuqimisht dhe besnikërisht në një aleancë të çlirimit të Kosovës.


2. Qeveria t’i ofroj futjen në aleancë të lartë të shënuarve pa dallim mospajtimeve kalimtare e sekondare për situatën dhe pas koordinimeve të harmonizuara të nxirren vendimet shumicë pa dallim vullneteve e tekeve të pakicave a individësh si deri tani.   


DETYRAT OBLIGATIVE TË ALEANCËS, NËN QEVERI, SI INSTITUCION


1. Të formohen urgjentisht shtabet e krizës, në të gjitha komunat në Kosovë dhe kantonet në Zvicër e më gjerë në (mërgate), përmes këtyre shtabeve, të ndihmohen e forcohen ato forca të organizuara në terren që sa më shpejt të bëhen si Lëvizje Kombëtare e gjithëpopullore e jo individësh, grupesh, ngase si të tilla rrezikohen që duke u gjykuar nga politika ndërkombëtare si terroristë me çka e legjitimon terrorin e pushtuesit në popullin e pa mbrojtur e që pas kësaj futet frika edhe ashtu prezent e politikanëve aktual, e si pasojë detyrimisht vijmë tek vetëvrasja politike e rasteve të njohura në histori, ku forcat çlirimtare do të trajtohen si pakicë antikombëtare për momentet, në të njëjtën kohë kur forcat e politikës së vdekjes Kombëtare në aleancë të fshehtë me pushtuesin dhe aleancë legale e zyrtare me faktorët e politikës ndërkombëtare, që nuk duan ta zgjedhin drejt problemin e Kosovës, shpallen si shpëtues të Kosovës, duke sjell situatën e imponimit në popull.


2. Koalicioni në fjalë, të kontrollojë tendencën e shfaqur të politikës dhe faktorëve ndërkombëtar, për t’i gjetur e favorizuar dhe përpunuar liderët e rinj Shqiptar, koalicioni rregullisht t’i thërras ata “liderë” dhe t’u tërheqet vërejtja, se në atë variantë nuk kanë në emër të kujt të flasin e aq më pak të nënshkruajnë për Kosovën, t’u ipet mundësia të vazhdojnë ato lojëra, por vetëm pjesërisht dhe të kontrolluar nga koalicioni.


NË DIASPORË (MËRGATË) 

3. Të gjenden njerëzit që duhen urgjentisht të futen në Kosovë, për të ndihmuar organizimin dhe kanalizimin e Lëvizjes Kombëtare drejt çlirimit,

Të lëshohet thirrja për ndihma meteriale me theks: Të gjitha për Kosovën, vetëm për bukën e gojës në mërgim, në veçanti të mendohet dhe përpunohet thirrja për afaristët.

Të organizohet rreshtimi i vullnetarëve fizik pa e dramatizuar këtë dhe të nxirret projekti i transportimit të tyre, ku, si dhe shteku i futjes brenda.


4. Për ata si të verifikuar që duhet të futen urgjentisht në Kosovë të mos pyetet, por të urdhërohen e më pas të respektojnë vullnetin e vullnetarëve të tjerë,


5. Të mos futen në Kosovë ata puna e të cilëve konsiderohet shumë më e frytshme në mërgim, si psh. ata që kanë aftësi organizative me bashkatdhetar për ndihma materiale e vullnetar. Të mos futen as ata që mbajnë lidhje të drejtpërdrejta me Kosovën dhe diplomacitë e huaja.


6. Të kontrollohen iniciativat e pa organizuara e spontane të disa ish-oficerëve të APJ-së, të cilët kanë paraqitje të shpeshta në masat e gjëra e jo të organizuara si duhet.


 VËREJTJET E MIA URGJENTE:

 

Fshehtësia e informacionit organizativ të natyrës se kush me kënd mund të lidhen si aleancë e çlirimit, pa dallim pjesës së konsporacionit, sot është motivi kryesor që pasivizon veprimtarinë tonë konkrete, veprimtarinë e atyre që disponojnë vullnet edhe për t’u flijuar në front për çlirimin e Kosovës.

Pas këtyre ditëve të vështira që po kalon Kosova u zbulua edhe një e vërtetë e madhe se jemi në krizën e liderëve të sakrificës politike e nënvizoj politike, për dallim nga fakti kur po vlojnë liderët e kujdesshëm të foteleve, të luksit dhe politikës së mosbërjes, e që rrugës diplomatike dhe kolaborimeve nga më të ndryshmet shfrytëzojnë lëvizjet e vullnetmirëve të pa liderë në sipërfaqe.

Koalicioni në fjalë duhet urgjentisht t’ia besojë punën dhe të emrojë liderin e sakrificës politike për situatën, duke llogariur edhe djegien e tij në politikë, nga ana e masave të mundshme të diplomacive dhe politikës ndërkombëtare, djegie të cilës po i ruhen me kujdesin më rigoroz liderët aktual të politikës sonë Kombëtare.

Emërimi në fjalë mund të bëhet edhe në variantin gjysmë zyrtar, si kujdes të ruajtjes së aleancës së çlirimit në rrafshin diplomatik. Aleanca ka ligjitimitet moral nën qeveri, t’i luan lojërat e shumëfishta dhe të djeg individ të caktuar politikisht me marrëveshje të plotë nëse e kërkon nevoja gjatë rrugës së zgjedhur politike të çlirimit, duke i përdorë të gjitha mjetet dhe variantet e çlirimit. Pa një sistem të tillë të punës konkrete aktualisht ne do të dalim të dështuar para popullit, Kosovës dhe ardhmënisë.

Unë Xun Çetta, konsideroj se personalisht duhet të futem në Kosovë, kuptohet me urdhër dhe objektiva të qarta, për çka po pres me gatishmëri të plotë.


Me respekt dhe vullnet çlirimi 

Xuni


Lucern 03.03.1998


Sqarim: U kërkuan qëndrimet dhe propozimet e mia nga ish-Qeveria Bukoshi, përkatësisht nga kabineti i tij në këtë situatë lufte..

Dëshmia është nga zyra e LDK-së Luzern nga Fax-i të cilës zyre dërgova përgjigjën në Përfaqësinë e Qeverisë në Gjenevë.